Arkivi i Shtetit u themelua më 8 qershor të vitit 1949. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në vazhdën e procesit inovativ të digjitalizimit të dokumentacionit arkivor, ka çelur një sërë Këndesh Arkivore. Në përmbajtje të zotimit për të ofruar mundësi të njëjta hulumtimi, Salla e Studimit në Tiranë është binjakëzuar jo vetëm anembanë vendit, por edhe në Kosovë, në Greqi dhe në Italinë e Jugut. Gjithashtu ka marrë trajtë projekti inovator, Muzeu Arkivor, i cili pritet të hapë dyert së afërmi. Ky muze do të jetë një qendër shumëfunksionale edukimi, duke ndërthurur novacionin me historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare. Vitin e shkuar, DPA-ja uli tarifat e dokumenteve dhe të imazheve, duke i mundësuar çdo studiuesi kryerjen e hulumtimeve me çmime të volitshme. Pas një periudhe të gjatë mungese dhe me një premisë periodike, DPA-ja u kthye në funksionin e botueses me 6 publikime të reja, që trajtojnë tematika historike dhe të lëmit të arkivistikës. Vit pas viti, mbahet Konferenca Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që mbledh arkivistë e studiues të trojeve për të diskutuar mbi sfidat dhe praktikat e përbashkëta të dy institucioneve arkivore, DPA dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK). Kalendari i aktiviteteve të institucionit është i ngjeshur me ekspozita mbi figura, ngjarje dhe përvjetorë me rëndësi në historinë e vendit, duke shpalosur pjesërisht dokumente të papublikuara më parë. atsh