Në Parkun Arkeologjik të Finiqit kanë filluar punimet e mirëmbajtjes, restaurimit, konsolidimit në një tjetër monument kulture kategoria I, banesën me dy peristile. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale ndau momente nga puna në këtë monumet. “Pas hartimit të projektit nga DRTK Vlorë dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, nisi puna për restaurimin dhe konsolidimin e strukturës murale; konsolidim i disa seksioneve në këtë linjë; restaurim i elementeve dekorativ në muraturë; sistemimin e terrenit etj”, tha Margariti. Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës. Mund të vini në park me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën kombëtare Sarandë-Gjirokastër dhe duke u kthyer në fshatin e Finiqit. Në qendër të fshatit, do të gjeni një rrugë të asfaltuar e cila do t’ju çojë në kodrën ku ndodhet parku. Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës. atsh