Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike botojnë veprën “Arti popullor në Kosovë” me autore prof.dr.Afërdita Onuzin. Vepra vjen në formën e një albumi ilustrativ shkencor. Ekspeditat e zgjeruara pas viteve `90 i dhanë mundësinë prof. dr. Onuzit të njihet më mirë me trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar në Kosovë e sidomos me gjinitë e ndryshme të artit popullor. Në parathënien e veprës, prof. dr. Afërdita Onuzi shkruan se lidhjet e vazhdueshme kulturore, ekonomike, tregtare midis krahinave të ndryshme fqinjë të Kosovës me ato të Shqipërisë Verilindore që vazhduan të zhvillohen deri në vitet ’40-50 të Shekullit të XX, mundësuan kontakte e marrëdhënie nga më të ndryshmet , të cilat ndikuan ndjeshëm në mënyrën e jetesës së banorëve të qytetit të Kukësit dhe të disa fshatrave të tij. “Ende dhe sot i kujtoj qilimat e Prizrenit dhe të Pejës, me të cilët mbuloheshin an e kënd dhomat e ndenjes apo jastëkët e mindereve të qëndisur e të mbuluar me pëlhura të pambukta apo të mëndafshta e të zbukuruara me lloj-lloj qëndismash; djepat e arkat e gdhendura apo te zbukuruar me pikturim; tabakatë e ibrikët prej argjendi; mangallët prej bakri që shkëlqenin midis dhomave të ndenjes etj.”, shprehet prof. dr. Afërdita Onuzi. Prof.dr. Onuzi bëri profesionin e etnologut dhe krahas ekspeditave të shumta në Shqipëri, në vitin 1979 bëri edhe një ekspeditë kërkimore në Kosovë për të parë nga afër Çarshinë dhe Pazarët e Vjetër në qytetet Prizren, Pejë, Gjakovë etj, dhe vizitoi disa muze etnografikë të asaj kohe. Në mënyrë të posaçme për realizimin e këtij botimi, është bërë një ekspeditë në vitin 2010, me mbështetjen financiare të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. atsh
“Arti popullor në Kosovë”nga Prof.Dr. Afërdita Onuzi
RELATED ARTICLES