Nënshkrimi i një traktati paqeje mes Armenisë dhe Azerbajxhanit është “shumë afër”, konfirmojnë burime diplomatike nga Azerbajxhani.
Sipas këtyre burimeve takimi midis kryeministrit armen Nikol Pashinyan dhe presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, i planifikuar në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian, mund t’i afrojë të dy vendet edhe më pranë një dokumenti përfundimtar.
Në takim pritet të marrin pjesë presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz si dhe presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel.
Por, prania franceze në tryezë nuk e lë të kënaqur Bakunë, emisarët e së cilës konfirmojnë se pjesëmarrja e Macron perceptohet nga ndërmjetësit azerë si “armiqësore”, mbi të gjitha për shkak të negociatave të Parisit për furnizime ushtarake për armenët dhe se formati ideal i dialogut për Azerbajxhani mbetet i ashtuquajturi trepalësh i Brukselit ose Aliyev-Pashinyan-Michel.
Nga Bakuja nënvizojnë gjithashtu se hapat përpara nga udhëheqja armene në njohjen e sovranitetit territorial të Azerbajxhanit mbi territoret e Nagorni-Karabahut demonstrojnë “guximin dhe vullnetin për paqe” të Pashinyanit, por thonë se janë të shqetësuar nga “paaftësia e tij për t’u shkëputur nga Moska” e cila nuk është e interesuar të shohë nënshkrimin përfundimtar të palëve në planin e paqes të hartuar në Bruksel.
Sa i përket garancive të sigurisë të kërkuara nga Erevani për armenët e Nagorni-Karabahut, të cilët sipas Bakusë arrijnë në rreth 30 000, Azerbajxhani “nuk është i gatshëm të pranojë asnjë lloj misioni ndërkombëtar apo organi të jashtëm”, konfirmojnë burimet diplomatike, duke nënvizuar se siguria e tyre do të “garantohet nga autoritetet e Azerbajxhanit siç është tashmë rasti për pakicat e tjera etniko-gjuhësore”. atsh