Përfaqësues të 175 vendeve takohen në Paris, nga sot deri më 2 qershor, për raundin e dytë të negociatave që synojnë përgatitjen e traktatit ndërkombëtar kundër ndotjes plastike. Ndër objektivat, për t’i dhënë fund përdorimit të plastikës për një përdorim deri në vitin 2040, disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë vetë Francën, shkojnë më tej, duke kërkuar një ulje të detyrueshme të prodhimit të plastikës. ”Nëse nuk veprojmë, deri në vitin 2050 oqeanet do të kenë më shumë plastikë se peshq”, paralajmëroi ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna. E intervistuar nga France Presse, drejtoresha ekzekutive e Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, Inger Andersen, kujtoi nga ana e saj se sot “ne abuzojmë me plastikën sepse është e lirë. Por kjo ka pasoja në mjedis, në oqeane, në faunë dhe florë”. Ambicia e parë e traktatit është të kufizojë përdorimin e plastikës njëpërdorimshe, që përfaqëson 40% të vëllimit të prodhuar. Por, përpara arritjes së këtij qëllimi, vendet që takohen në kryeqytetin francez do të diskutojnë rregullat dhe ambiciet e traktatit të ardhshëm. Në dhjetor 2022, në raundin e parë të negociatave të organizuar në Uruguaj, pjesëmarrësit nuk arritën një marrëveshje për organizimin e negociatave. Bashkimi Evropian, së bashku me disa vende afrikane dhe të Amerikës Latine (rreth pesëdhjetë gjithsej) duan një marrëveshje detyruese nga viti 2040, ndërsa SHBA duket se janë në favor të një marrëveshjeje ndërkombëtare, por pa kufizime të veçanta. atsh
Ndotja nga plastika mbledh 175 vende në Paris
RELATED ARTICLES