Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç do të largohet nga drejtimi i Partisë Progresive Serbe (SNS), sipas deklaratës së tij dje, në një tubim të madh në Beograd, që ai organizoi në mes të një krize të shkaktuar nga dy të shtëna masive që tronditën vendin. ”Kjo është mbrëmja e fundit që do ju drejtohem si kryetar i SNS-së”, tha Vuçiç. Vuçiç nuk tha se kush do ta pasonte atë në krye të partisë. Presidenti serb ka përcaktuar fatin e vendit në funksione të ndryshme që nga viti 2012. Kritikët e akuzojnë atë për një stil autoritar të qeverisjes. Tërheqja e tij nga udhëheqja e SNS-së ka pak rëndësi në këtë drejtim. Vuçiç dhe mbështetësit e tij kontrollojnë pjesën më të madhe të medias, gjyqësorit dhe një pjesë të ekonomisë. Megjithatë, dy të shtëna masive që lanë gjithsej 18 të vdekur në fillim të muajit, tronditën shoqërinë serbe. Kundërshtarët e Vuçiçit ngritën çështjen e kontrollit të armëve në protesta dhe kërkuan mbajtjen e pèrgjegjësisë. Vuçiç organizoi dje një miting në Beograd për të demonstruar stabilitetin e pushtetit të tij. Në prag të tubimit, ai e kishte përshkruar atë si “takimin më të madh popullor në historinë e Serbisë”.
Vuçiç largohet nga drejtimi i partisë SNS
RELATED ARTICLES