Filarmonia e Kosovës në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, pas premierës në Tiranë, realizuan me sukses edhe premierën kosovare të operës solemne “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kryezot i Arbërit” nga Vasil S. Tole me libret të vetë kompozitorit, bazuar mbi veprën e Fan S. Nolit. Interpretimi mbresëlënës i solistëve, tenorit Klodjan Kaçani, baritonit Artur Vera nga Shqipëria dhe sopranos Kaltrina Miftari, mexosopranos Dea Xhemaili e tenorit Rizah Jahaj nga Kosova, u duartrokitën nga publiku në sallën AMC, të mërkurën mbrëma. Të pranishëm në shfaqje ishte vetë autori i Operas, Vasil Tole, Kryeministri Kurti, ministri i Kulturës, Çeku, drejtoresha e TKOB-së, Abigeila Voshtina etj. Shoqëruar mjeshtërisht nga Orkestra dhe Kori i Filarmonisë së Kosovës, nën drejtimin e mjeshtrit Sieva Borzak (Itali) dhe Hajrullah Syla në bashkëpunim me Korin e TKOB-së, drejtuar nga maestro Dritan Lumshi dhe me konceptin regjisorial të Ada Gurrës, kjo shfaqje shënoi thellimin e bashkëpunimit ndër institucional kulturor Kosovë-Shqipëri, i cili këtë sezon koncertal ka arritur shifrën e 5 projekteve të përbashkëta, si asnjëherë më parë. atsh