Kurora e krenarisë së Gjirokastrës kulturore e historike “Pazari Karakteristik” dhe “Kalaja e Argjiros” nuk mund të ndahen nga ato elemente që hedhin themelet kulturore, që mbajnë gjallë traditën, historinë dhe i trashëgojnë ato ndër breza për mos tu shkëputur më kurrë. DRTK Gjirokastër na prezanton me shembullin e njërës prej artizaneve që spikat për punën e saj autentike. Ajo është Buqe Muka, mjeshtre që punon me dëshirë dhe dashuri. Veçantia e saj qëndron në faktin se punon mbi skicat e djalit të saj 20-vjeçar, Markelian Muka i cili ka zgjedhur të ndjekë rrugën e nënës së tij. Buqe Muka rrëfen se ka punuar që e vogël, duke ndjekur shembullin e nënës së saj. “Dëshira për ta punuar një veshje tradicionale për vete, më futi në këtë teknikë që më dukej e paarritshme në fillim”, rrëfen Buqja e cila sfidë pas sfide arriti edhe të përfshihej në restaurimin e elementëve të ndryshëm në Muzeun Etnografik, në Gjirokastër.
Teknika që ajo pëlqen më shumë është “punimi me tërtil”. Një lloj qëndisje që tregonte klasën e lartë shoqërore të vendit tonë në shekujt e kaluar. Për 2 muaj ishte pjesë e ekipit të restaurimit të objekteve në muze dhe puna me veshje dhe tekstile të punuara 100-150 vjet më parë e futi në një dimension tjetër. “Ishte njësoj si të futeshe në një bibliotekë të madhe. Ku çdo send, çdo veshje, ishte libër më vete. Ky është momenti ose pjesa më e bukur e gjithë rrugëtimit tim si qëndistare”, tregon Buqe Muka. Tashmë klientë të saj janë persona me moshë e kombësi nga më të ndryshmet. Ajo ndihet e lumtur kur mendon se punimet e saj artizanale, kanë kaluar kontinente.