Presidenti i SHBA Joe Biden po shqyrton udhëtimet e planifikuara për jashtë shtetit, përfshirë potencialisht samitin e ardhshëm të G7-ës në Japoni, nëse nuk ka zgjidhje për rritjen e kufirit të borxhit kombëtar. I pyetur nga një gazetar nëse ai do të qëndronte në Uashington gjatë takimit të G7-ës për shkak të mosmarrëveshjes për kufirin e borxhit në shtëpi, presidenti tha se ishte ende i përkushtuar për takimin, por tavani i borxhit ishte çështja e vetme më e rëndësishme. ”Dua të iki, por tavani i borxhit është çështja e vetme më e rëndësishme”, theksoi Biden. Samiti treditor i G7-ës është planifikuar të fillojë në Japoni më 19 maj. Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen po paralajmëron për një dështim të mundshëm të qeverisë më 1 qershor. Në SHBA, Kongresi vendos një tavan borxhi në intervale të parregullta dhe përcakton se sa para mund të marrë hua qeveria. Tavani i borxhit tani është arritur dhe Thesari i SHBA-së duhet të shfrytëzojë rezervat e kapitalit, pasi SHBA-ja tani nuk lejohet të marrë borxhe të reja për të paguar faturat e saj. Për të rritur tavanin e borxhit, Biden dhe demokratët e tij kanë nevojë për republikanët në Kongres. Megjithatë, republikanët kundërshtojnë një rritje pa shkurtime të konsiderueshme në shpenzimet e qeverisë. atsh