Saturday, November 23, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREUkraina fituese e “Aulona Inter Folk Festival”

Ukraina fituese e “Aulona Inter Folk Festival”

Për tri ditë me radhë, në datat 6, 7 dhe 8 maj, është mbajtur në qytetin bregdetar të Vlorës edicioni i 15-të i “Aulona Inter Folk Festival”. Si një nga aktivitetet kryesore të agjendës së Bashkisë Vlorë në kuadër të çeljes së sezonit turistik 2023, ky festival ka bërë bashkë në qytetin bregdetar, grupe dhe ansamble folklorike, nga shumë shtete të Ballkanit dhe Evropës. Rrugët, sheshet dhe skenat në Vlorë u mbushën me meloditë e këngëve e ritmet e valleve, plot ngjyra e hijeshi nga Austria, Sllovakia, Greqia, Turqia, Zvicra, Ukraina, Maqedonia e Veriut, Kosova e Shqipëria. E veçanta është pjesëmarrja në festival e Ansamblit Folklorik nga qyteti Lviv i Ukrainës, të cilët përmes muzikës e trashëgimisë së tyre shpirtërore përcollën mesazhe lirie e paqeje. Më shumë se 300 pjesëmarrës me kostumet e tyre karakteristike u ngjitën këtë herë në skenën e ngritur në sheshin përpara Stadiumit “Flamurtari” të Vlorës. Drejtori i Qendrës Kulturore “Aulona” si dhe drejtori i përgjithshëm i Festivalit, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se, si efekt i këtij aktiviteti ndërkombëtar folklori, në të 15 edicionet e tij, në Vlorë kanë shkuar 115 grupe e ansamble me 4100 pjesëmarrës, nga 28 shtete të Ballkanit, Europës e Azisë. Nata e tretë e festivalit shënoi koncertin e madh me pjesë të zgjedhura nga të gjitha grupet pjesëmarrëse e ku në fund Komiteti Organizator ndau Kupën e Festivalit e cila iu dorëzua Ambasadorit të Ukrainës në vendin tonë, Volodymyr Shkurov. Kupa e edicionit të 15-të shkoi për ansamblet “Dibrova” e “Gorytsvit” të qytetit Lviv (Ukrainë). E jashtëzakonshme ishte parada e kostumeve, e cila nisi nga Sheshi Historik i Flamurit e nga ku përmes Bulevardit “Ismail Qemali”, mes duartrokitjeve e kërshërisë së qytetarëve në të dy anët e tij, përfundoi përpara Stadiumit “Flamurtari” në Skelë. Gjatë ditëve të qëndrimit në Vlorë, pjesëmarrësit në festival vizituan edhe Parkun Kombëtar të Llogorasë, si kundër njëra nga ditët iu kushtua njohjes dhe frekuentimit të plazheve të Radhimës, duke e shndërruar këtë festival në një fuqi të vërtetë promovuese për asetet kulturore, historike, turistike e natyrore të Vlorës e rrethinave të saj. Festivali u organizua nga Qendra Kulturore “Aulona”, Vlorë me mbështetjen kryesore të Bashkisë së Qytetit dhe Ministrisë së Kulturës. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments