Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTSPORTTurneu U-16’,Shqipëria 3-0 Moldavia

Turneu U-16’,Shqipëria 3-0 Moldavia

Janë luajtur sot dy ndeshjet e parë të turneut ndërkombëtar “UEFA Development U-16” për djem, që zhvillohet në Shqipëri dhe organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në këtë turne përveç Shqipërisë U-16 marrin pjesë edhe Moldavia, Azerbajxhani dhe Ishujve Faroe, teksa risia e madhe e këtij edicioni është padyshim zhvillimi i sfidave në fushat e “Shtëpisë së Futbollit”. Kombëtarja kuqezi debutoi me sfidën ndaj Moldavisë U-16, teksa ndeshja është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm tifozësh që kishin mbushur tribunën e njërës prej fushave të kompleksit më modern në vendin tonë. Ndeshja përfundoi me fitoren 3-0 të Shqipërisë U-16 me një paraqitje mjaft të mirë të kuqezinjve. Trajneri Ervin Bulku hodhi në fushë këtë formacion titullar: Leonard Kolgecaj, Murselo Dervishi, Kleo Shpuza, Renato Halili, Jetmir Laze, Xheto Xhoi Nuredini, Eraldo Karaj, Tedi Malaj, Ergis Arifi, Oresti Rifa, Rinaldo Nela. Në minutën e 19-të Shqipëria i afrohet golit kur Nuredini godet nga jashtë zone, por topi bllokohet na kohë nga portieri Dan Rusu. Në minutën e 23-të është Burca i Moldavisë që dërgon topin në rrjetë, por arbitri sinjalizon pozicion jashtë të lojtarit moldav. Kombëtarja shqiptare e rrit presionin dhe afrohet më shumë në zonën kundërshtare, teksa në minutën e 45-të vjen edhe goli i avantazhit. Zbritje e shpejtë e kuqezinjve me Rifën që pason në thellësi saktë për Nuredinin, i cili pasi driblon edhe portierin godet me të djathtën dhe arrin të shënojë. Goli karikon ekipin shqiptar dhe në minutnën e fundit shtesë kuqezinjtë arrijnë të dyfishojnë shifrat. Krosim nga goditja e dënimit dhe Halili arrin të godasë nga afër me portierin mik që nuk arrin të ndalojë siç duhet topin, që përfundon brenda portës. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 2-0 në favor të Shqipërisë U-16. Edhe pjesa e dytë nis me të njëjtën panoramë teksa të dyja ekipet shfaqen të balancuara në fushë duke krijuar raste për shënim. Në minutën e 66-të sërish Nuredini ka një mundësi të mirë, por në mometin e fundit nuk arrin të godasë si duhet portën. Vetëm një minutë me vonë është po sulmuesi Nuredini, që pasi merr një pasim të saktë në sulm, hyn në zonë dhe godet saktë me të djathtën duke shënuar dhe duke çuar rezultatin në 3-0. Trajneri Bulku bën ndërkohë disa zvëendësime duke aktivizuar shumë prej lojtarëve të ftuar për këtë turne. Shqipëria ka një tjetër mundësi të mirë në minutën e 78-të kur pas një kundërsulmi Marqeshi i sapofutur në lojë del vetëm me portierin, por është i pafat pasi topi përfundon jashtë. Në minutat e fundit rezultati nuk ndryshon dhe ndeshja mbyllet me fitoren e Shqipërisë U-16 në shifrat 3-0. Ndeshja tjetër e luajtur sot Ishujt Faroe – Azerbajxhan përfundoi me fitoren 2-4 të azerëve, me sfidën që prodhoi gola dhe emocione deri në minutat e fundit. Ishujt Faroe ishin për një pjesë të mirë të ndeshjes në avantazh, por Azerbajxhani mundi të përmbyste gjithçka duke triumfuar me meritë. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments