Në konferencën për shtyp mbi zhvillimet e ekonomisë përgjatë 3-mujorit të parë janar-mars, Ibrahimaj tha se borxhi publik zbriti në 63/27 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 64.58 % e PBB-së që ishte në fund të vitit 2022. “Shifrat e borxhit kanë vijuar të jenë pozitive dhe borxhi ka vijuar të ulet. Në tremujorin e parë, sipas shifrave paraprake, borxhi publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është në nivelin 63.27 % të PBB nga 64.58 % që ishte në fund të vitit 2022. Sipas strukturës, pesha më e madhe është në borxhin e jashtëm dhe këtu dua të theksoj efektin e kursit të këmbimit në uljen dhe reduktimin e borxhit duke qenë se një pjesë e madhe e borxhit është i vlerësuar dhe i marrë në euro, kursi i këmbimit ka sjellë dhe një ngadalësim të shifrës së borxhit publik”.