Muaji Maj ka nisur me mot të paqëndrueshëm dhe pritet të ketë dhe ulje të temperaturave. “Ditën e mërkurë dhe të enjte pritet të jemi në mbizotërimin e këtyre masave ajrore të paqëndrueshme, të cilat sjellin vranësira të shpeshta në territorin shqiptar, prezencë të lartë të lagështirës, çka do të bëjë që të kemi prezente herë pas here reshje të pakta të shiut. Pritet që të kemi dhe momente me rrebeshe afatshkurtra, por do të jenë në zona të izoluara, nuk pritet të preket i gjithë territori shqiptar. Dita e mërkurë dhe e enjte do të sjellin dhe rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumi të zbresë në vlerën 21-22 gradë Celcius, që në fakt janë temperatura 2-3 gradë më të ulëta sa i përket muajit Maj”. Sinoptikanët thonë se panorama e kushteve të motit ndryshon mesditën e të enjtes. “Presim përmirësim të kushteve të motit duke filluar nga pjesa e dyta e ditës së enjte dhe ditën e premte, ku do të kemi intervale të gjata me kthjellime. Do të kemi më shumë orë me diell në ultësirën perëndimore, ndërsa në zonat malore do të ketë kalime të pakta të vranësirave, por nuk priten reshje”. Fundjava, duke nisur nga e premtja do të sjellë rritje të temperaturave, duke bërë që termometri të ngjitet deri një 25-26 gradë Celsius.