Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, çdo fundjavë kujton site apo monumente kulture, të cilat ia vlen të vizitohen për vlerat e tyre historike, kulturore e arkitekturore. Një prej tyre është edhe banesa “Zapanaja e Zekatëve”, një prej banesave më të shquara gjirokastrite. E njohur me emrin “Zekate” për shkak të familjes Zeko, të cilëve iu dhurua kjo shtëpi. Ajo ishte një dhuratë nga Ali Pasha për Beqir Zekon, si një nga njerëzit e tij të besuar. Ndërtimi i saj daton rreth vitit 1811-1812 dhe gjendet në pikën më të lartë të lagjes Palorto. Si një rast unik, banesa ka tre oborre përveç kopshtit para saj, të rrethuar me mure. Vetë oborret janë të ndërlidhur me portat, duke krijuar një ndjenjë vazhdimësie midis hapësirave të jashtme dhe të brendshme. Në oborrin e djathtë, mund të gjejmë odajashta (që përfaqëson një vend të veçantë për një kategori të caktuar miqsh). Shtëpia ndodhet në një terren të pjerrët, duke rezultuar në ndërtimin e një gjysmë kati për të përshtatur parregullsinë. Terreni i pabarabartë ka kushtëzuar ndërtimin e të dy krahëve, me numër të ndryshëm katesh, i djathti katërkatësh dhe i majti trekatësh. Banesa është kompozuar thjeshtë, duke treguar përvojën e gjerë të mjeshtërve ndërtues. Kjo banesë shquan për kompozimin e hedhur e në lartësi, duke shtuar hapësirat dritëdhënëse, pa dobësuar tiparet mbrojtëse dhe karakterin e spikatur monumental të saj.