Këshilli i Ministrave miratoi sot dokumentin politik “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”, i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Dokumenti analizon situatën e tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe infrastrukturën e tij, duke propozuar ndërmarrjen e planeve konkrete të veprimit për zhvillimin e tregut të kapitaleve përgjatë një periudhe 5-vjeçare. Objektivi i përgjithshëm është promovimi i tregjeve eficiente të kapitalit nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të këtyre tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre. Për arritjen e këtij objektivi, dokumenti politik merr në konsideratë një sërë faktorësh, si: përcaktimi i kushteve paraprake të zhvillimit të tregut, adresimi i sfidave dhe problematikave, identifikimi i prioriteteve për zhvillimin e tregut të kapitaleve, bashkëpunimi mes institucioneve me rol kyç për zhvillimin e këtij tregu, sigurimi i mbikëqyrjes efektive, si edhe përcaktimi i planeve konkrete të veprimit sipas prioriteteve të vendosura.