Ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann, mori pjesë në forumin e biznesit organizuar sot pasdite në Pallatin e Kongreseve. Në fjalën e saj, Hohmann vlerësoi rëndësinë dhe ndikimin që ka biznesi tek objektivi kryesor i anëtarësimit në BE. “Gjithçka varet nga ekonomia, zhvillimi ekonomik, sepse klima e biznesit është kryesorja për gjithçka ne bëjmë, sepse pa të ne mund të ndryshojmë gjëra të ndryshme, por nuk mund të ndryshojmë vendin tërësisht. Pra, disa pyetje kanë dalë. Si mund të përmirësohet klima e biznesit? Si do të bëhet ekonomia shqiptare më konkurruese? Si mund të tërhiqen më shumë investime? Si do të rrisim pasurinë më të madhe që ka Shqipëria që është kapitali njerëzor me anën e arsimit dhe të zhvillimit të aftësive? Por edhe në përgjithësi se si mund ta bëjmë Shqipërinë një vend edhe më atraktiv më tërheqës për të jetuar për të punuar dhe për të investuar? Prandaj nuk është habi që të gjitha këto çështje janë në fakt në qendër të procesit të integrimit të BE-së. Dhe në fakt shumë po diskutohet në Bashkimin Evropian, tashmë natyrisht me ekspertë nga qeveria shqiptare, në takimet dypalëshe. “Ky objektiv, i cili nga aspekti ekonomik do të thotë të bëhesh pjesë e tregut të vetëm evropian, është një objektiv vërtet ambicioz, por është dhe një mundësi shumë e madhe për Shqipërinë. Por gjithashtu e dini që tregu evropian është shumë konkurrues dhe ka edhe rregulla komplekse, të cilat duhet patjetër që të respektohen, prandaj është puna jonë që Shqipërinë dhe ekonominë e saj ta përgatisim që të jetë e gatshme për këtë treg kaq konkurrues dhe shumë të rregulluar. Dhe është pjesë e negociatave dhe si pjesë e tyre Shqipëria do të duhet të miratojë disa plane konkrete dhe duhet që këto plane të jenë në përputhje më rregullat e BE-së, në fushën e tregut të brendshëm, konkurrueshmërisë dhe të rritjes ekonomike”, theksoi ajo. Ambasadorja Hohmann tha se, “Shqipëria duhet të investojë në mënyrë të konsiderueshme tek kapitali njerëzor, arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, në mënyrë që të shfrytëzojë këto mundësi që vijnë nga tranzicioni digjital dhe i gjelbër, të cilat janë dhe shtysa kryesore të zhvillimit ekonomik të tregut në BE, që do të thotë investime afatgjatë edhe sa i përket arsimit, por edhe trajnime për sa i përket përmirësimit të aftësive dhe të programeve të inovacionit”. “Prandaj është gjë e mirë që kemi këtë lidhje sot që të kërkohet patjetër bashkëpunimi mes qeverisë dhe komunitetit të biznesit sepse janë këta të fundit që do të bëjnë këtë gjë. Shqipëria ka një pasuri të madhe sepse kemi shumë biznese evropiane që në fakt janë edhe pjesë e kompanive në tregun evropian. Shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian janë partneri më i madh i Shqipërisë dhe BE është donatori më i madh se çdokush tjetër dhe investuesi më i madh në Shqipëri. BE do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë”, theksoi ambasadorja Hohmann.
Forumi i biznesit, Hohmann: BE do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë
RELATED ARTICLES