Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu informoi sot se Klinikat Stomatologjike të Lëvizshme kanë vijuar punën me intensitet për depistimin dhe trajtimin e kujdesit oral të fëmijëve. Ky shërbim po ofrohet sipas një kalendari të përcaktuar në të gjithë zonat rurale dhe javën e ardhshme klinikat dentare të lëvizshme do të trajtojnë fëmijët në Malësi të Madhe, Lezhë dhe Berat. Ministrja Manastirliu tha se mbi 2000 fëmijë janë depistuar dhe trajtuar nga njësitë e lëvizshme. “Nga Hasi, në Gjirokastër, Shkodër, Postribë, Hot i Ri, Maliq, Pogradec vijon rrugëtimi i 2 Klinikave Stomatologjike Lëvizëse në shkollat e zonave rurale për depistimin për kujdesin e dhëmbëve, që i siguron fëmijëve akses dhe cilësi për depistimin dhe trajtimin e dhëmbëve me aparatura bashkëkohore. Mbi 2 mijë fëmijë kanë kryer deri tani depistime dhe trajtime përmes njësive të lëvizshme”, tha ajo. Ministrja informoi se javën tjetër Klinikat Stomatologjike Lëvizëse do të jenë në, Malësi të Madhe, Lezhë dhe Berat. Klinikat Stomatologjike të Lëvizshme janë të pajisura me pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë dhe po shërbejnë si kabinete dentare të lëvizshme për nxënësit e shkollave, kryesisht në zonat rurale dhe ato periferike. Përgjatë viteve 2021-2022 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka investuar në strukturat e kujdesit të arsimit parauniversitar me 19 njësi të reja dentare, ku 10 prej tyre u instaluan në Tiranë dhe të tjerat në tre qarqe, Elbasan, Durrës dhe Shkodër. Edhe këtë vit, MSHMS do të vijojë investimet në shkolla për të zgjeruar bazën e njësive dentare me unite të reja në të gjithë Shqipërinë. atsh