Banka e Shqipërisë zhvilloi ankandin e tretë për blerjen e euros, sipas kalendarit të parashikuar për vitin 2023. Shuma e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 5 dhe 9 milionë eurove, ndërsa Banka e Shqipërisë pranoi të gjitha ofertat e paraqitura në këtë raund, për një shumë totale prej 7.9 milionë eurosh. Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 112.75 dhe 113 lekëve. Kursi mesatar i ponderuar i blerjeve në raundin e parë ishte 112.86 lekë. Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 1.2 milionë eurosh, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë, prej 112.86 lekësh. Banka e Shqipërisë ka parashikuar të blejë një shumë midis 160 dhe 220 milionë eurove për vitin 2023. Kjo shumë përfaqëson një rritje të konsiderueshme në raport me shifrat e vitit të kaluar, kur blerjet e valutës vlerësohen në afërsisht 140 milionë euro. Këto shifra i referohen vetëm blerjeve të planifikuara për qëllimet e rritjes së rezervës valutore.