Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë po vijon puna për fotografimin me cilësi maksimale e të gjitha veprave që ndodhen në këtë muze. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau foto të këtyre veprave teksa bëri të ditur se, “pas procesit të dezinfektimit në Laboratorin e Restaurimit dhe Konservimit në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar vijon puna për fotografimin me qëllim dokumentimin dhe lehtësimin e aksesimit të tyre për studiuesit e trashëgimisë”. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 Prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj.