Rrugëtimi ndërkombëtar i filmave të regjisores Xhanfise Keko vazhdon nëpër botë, po ashtu edhe nderimi për individualitetin dhe personalitetin artistik të saj. Filmat e regjisores për fëmijë Xhanfise Keko po shfaqjen në kinematë spanjolle. Kinemaja në Spanjë ofron për shikuesit katër nga filmat e saj më të famshëm: “Tomka dhe shokët e tij”, “Beni ecën vetë”, “Mimoza llastica” dhe “Taulanti kërkon një motër”. Regjisorja shqiptare me filmat e saj ndodhet mes emrave të shquar si Jean Vigo, François Truffaut apo Abbas Kiarostami. Spanjollët e konsiderojnë se një autore të jashtëzakonshme të njëmbëdhjetë filmave artistikë të realizuar nga viti 1972 deri në 1984 në Shqipëri, ku të gjithë trajtojnë sfidat, zhgënjimet dhe aspiratat e fëmijërisë. Me një ndjeshmëri të pazakontë, Keko portretizon botën dhe vizionin e fëmijës, duke vendosur dëshirat dhe psikologjinë në qendër. E gjithë kjo nënkupton të kuptuarit e fëmijërisë jo si një fazë tranzicioni drejt një moshe tjetër, por si një periudhë më vete, duke respektuar autonominë e djemve dhe vajzave të përcaktuara nga filozofi i pedagogjisë René Schérer. Pas një përvoje dhe eksperience gati 20-vjeçare realizoi si regjisore filmin e saj të parë, me metrazh të gjatë për fëmijë. Në vitin 1971 nisi xhirimet e filmit “Kryengritje në pallat” që do t’i jepej publikut në vitin 1972. Më tej do të vazhdonin filma të tjerë si “Mimoza llastica”, “Beni ecën vetë”, film i cili do të vlerësohej me Kupën e Festivalit të Parë të Filmit Shqiptar; “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Një vonesë e vogël”, “Taulanti kërkon një motër” etj. Këto filma do ta bënin të njohur dhe të dashur si për publikun e vogël, por edhe atë të rritur. Me këto filma Xhanfize Keko përfaqësoi Shqipërinë në festivale të ndryshme ndërkombëtare, ku u vlerësua me çmime e tituj, si në “Giffoni Film Festival” në Itali, në Festivalin e Filmit në Beograd, Medaljen e Presidentit të Republikës Italiane etj. Por edhe në atdhe Xhanfize Keko do të vlerësohej për punë e saj të madhe në kinematografinë për fëmijë. U vlerësua me “Çmimin e Madh të Republikës”, në vitin 1979. Po në të njëjtin vit iu dha titulli “Artiste e Merituar”, ndërsa 5 vjet më vonë edhe titulli i lartë “Artiste e Popullit”. atsh