Ekaterina Solovova, përfaqësuese rezidente e BERZH-it në Shqipëri, u shpreh se, “një nga prioritetet strategjike të BERZH-it në Shqipëri është rritja e konkurrencës dhe rritja e aksesit në financim e sektorit privat”. Duke marrë fjalën në eventin që u zhvillua në Tiranë për promovimin e Portalit të Fermerit, ku merrte pjesë Kryeministri Edi Rama, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, përfaqësuesja e BERZH-it, solli në vëmendje të audiencës, “takimin pak më shumë se një vit më parë, me aktorë të qeverisë shqiptare dhe komunitetit rural, për të diskutuar rëndësinë e aksesit në financa për sektorin e agrobiznesit”. “Kontributi i sektorëve të agrobiznesit në ekonominë shqiptare është i rëndësishëm. agrobiznesi siguron punësim për pothuajse 50 % të popullsisë në zonat rurale dhe përbën rreth 20 % të PBB-së së vendit”, tha Solovova, teksa vuri në dukje se, në të njëjtën kohë, sektori përballet me sfida të shumta të ndërlidhura, si informaliteti, fragmentimi, cenueshmëria ndaj ndryshimeve klimatike, mungesa e standardizimit dhe, si pasojë, mungesa e vazhdueshme e aksesit në financim. Përfaqësuesja e BERZH-it, theksoi se, sektori mbetet i pashërbyer nga institucionet financiare, ku kreditë për agrobiznesin zënë vazhdimisht më pak se 2% të totalit të kredisë për ekonominë. “Në këtë sfond, vijoi ajo, BERZH dhe Qeveria e Shqipërisë bashkuan forcat dhe në vitin 2016 krijuan një kuadër për të mbështetur fillimisht sektorin e bujqësisë dhe më pas të turizmit përmes institucionit të caktuar posaçërisht për Mbështetjen e Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar (“AATSF”)”. “Qeveria Shqiptare angazhoi mbi 30 milionë euro në financimin e grantit për lehtësinë e ndarjes së rrezikut duke mundësuar dhënien deri në 180 milionë euro kredi për SME-të që operojnë në agrobiznes dhe turizëm nga bankat tregtare pjesëmarrëse. Në fund të vitit 2022 janë dhënë rreth 6230 kredi për fermerët dhe agrobizneset në një shumë totale prej afër 100 milionë euro. Në vitin 2022, shuma totale e disbursimeve të kredive të reja në kuadër të këtij Lehtësie përfaqësonte mbi 80% të të gjitha kredive të reja për sektorin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Peshkimit nga bankat në Shqipëri”, deklaroi Solovova. Gjithashtu informoi ajo, BERZH ka ofruar asistencë teknike për AZHBR-në – si institucioni përgjegjës për menaxhimin e fondeve IPARD si dhe skemave kombëtare, në dy fusha kryesore: për thjeshtimin e procedurave të aplikimit dhe miratimit për dhënien e granteve për fermerët dhe agrobiznesin. Solovova e cilësoi krijimin e portalit e-Farmer, një depo online, lehtësisht e aksesueshme, e të gjitha informacioneve të rëndësishme dhe të nevojshme për agrobizneset dhe fermerët. “Ai ofron njohuri mbi: mundësitë e financimit dhe procedurat e aplikimit; shërbimet e ofruara për fermerët; si dhe informacione të rëndësishme lidhur me tregun dhe prodhimin – si çmimet e produkteve ditore. Kjo punë e shkëlqyer nuk do të ishte e mundur pa bashkëpunimin e shkëlqyer me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe financimin e siguruar nga SECO zvicerane”, deklaroi Ekaterina Solovova, përfaqësuese rezidente e BERZH-it, në Shqipëri. atsh