Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përfunduan sot takimet me liderët kinezë, ku i bënë thirrje Kinës për të ofruar ndihmën e saj për të rivendosur paqen në Ukrainë. Gjithashtu, ata paralajmëruan Pekinin për rrezikun e furnizimit të Rusisë me armë. “Armatosja e agresorit do të ishte kundër ligjit ndërkombëtar dhe do të dëmtonte ndjeshëm marrëdhëniet tona”, tha von der Leyen pas bisedimeve me presidentin kinez, Xi Jinping. Macron tha se shpresonte që Kina do të ushtronte presion mbi Rusinë për të kërkuar negociata në konfliktin e Ukrainës. “Unë e di se mund të mbështetem tek ju… për ta sjellë Rusinë në vete dhe të gjithë në tryezën e negociatave”, tha Macron gjatë bisedimeve me Xi në Pekin, sipas Pallatit Élysée. Macron dhe von der Leyen ishin liderët e fundit evropianë që u takuan me udhëheqjen e Kinës dhe diskutuan marrëdhëniet e tyre komplekse, në një përpjekje për të siguruar ndihmën e Pekinit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Parisi beson se marrëdhënia e ngushtë e Kinës me Rusinë do të thotë se Pekini është i pozicionuar mirë për të ndërhyrë në konfliktin në vazhdim dhe për të ndërmjetësuar potencialisht paqen. “Jam i bindur se Kina ka një rol të madh për të luajtur në ndërtimin e paqes”, tha Macron pak përpara takimit me Xi. “Kina ka një rëndësi të madhe për Evropën dhe një histori të gjatë të përbashkët”, tha von der Leyen në fillim të bisedimeve me kryeministrin kinez, Li Qiang. “Të dyja palët kanë përfituar shumë nga marrëdhënia”, shtoi ajo në një video të postuar në Twitter. “Megjithatë marrëdhëniet BE-Kinë janë bërë më komplekse vitet e fundit”, shtoi ajo, duke theksuar nevojën për të diskutuar të gjitha aspektet e marrëdhënieve BE-Kinë sot. “Kjo do të ndihmojë si Bashkimin Evropian ashtu edhe Kinën për të lundruar në një mjedis gjeopolitik kompleks dhe të paqëndrueshëm”, shtoi von der Leyen. Megjithatë, Kina i dha një përgjigje të përzier propozimeve të Macron dhe von der Leyen. Xi i tha Macron se ishte i bindur se vizita treditore e presidentit francez mund të sigurojë impulse të reja dhe një atmosferë të re për marrëdhëniet e Pekinit me Evropën. Si vende të mëdha me traditë pavarësie, Kina dhe Franca kanë aftësinë dhe përgjegjësinë për të kapërcyer mosmarrëveshjet”, tha Xi në fillim të bisedimeve të tyre. Megjithatë, ndërsa Xi foli në favor të rifillimit të negociatave për luftën në Ukrainë, ai përsëriti propozimin e Kinës për luftën, paraqitur në shkurt, e cila u prit me kritika dhe zhgënjim ndërkombëtarisht. Ai përsëriti se duhet të merren parasysh interesat legjitime të sigurisë së të gjitha palëve”, një kërkesë që e vendos pozicionin e Pekinit më shumë në përputhje me arsyetimin e Rusisë. Xi më pas. bëri thirrje për ndërtimin e një kornize të ekuilibruar evropiane të sigurisë, e cila zakonisht kuptohet si një kritikë ndaj zgjerimit të SHBA-së dhe NATO-s. atsh
Kina, të ndihmojë në rivendosjen e paqes në Ukrainë
RELATED ARTICLES