Të pasionuarit pas ngjitjeve dhe turizmit malor nuk duhet të humbasin gjatë pranverës kalimin në Shishtavec-Çajë, që njihet edhe si “Shtegu i Ngjyrave”. Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau në rrjetet sociale pamje nga ky shteg, i cili vizitohet nga mijëra turistë vendas e të huaj. “Në majën e Kallabakut do të magjepseni nga panorama që do t’ju shohin sytë dhe nuancat e pabesueshme të lëndinave. Shtegu i Ngjyrave, si pjesë e kurorës së Bjeshkëve të Kukësit fillon nga Shishtaveci deri në Çajë dhe është 13 km i gjatë”, thekson Agjencia Kombëtare e Turizmit. Ky shteg është destinacioni turistik më i vizituar, falë promovimit të vazhdueshëm. Shtegu i Ngjyrave kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit. Afër këtij shtegu ndodhet edhe trekëndëshi ndërkufitar Kosovë-Shqipëri-Maqedoni e Veriut. Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës. Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë. Gjurmët e këtij shtegu vijnë që nga lashtësia në kohën e krishtërimit. Mendohet se është një shteg 2400-vjeçar, i quajtur ”Scardus” nga romakët, që në latinisht do thotë plot ngjyra, për shkak të luleve të shumta dhe peizazhit që krijohet në stinë të ndryshme. I pozicionuar në jug të maleve të Sharrit, mendohet që kjo hapësirë të jetë ndër kullotat alpine më të mëdha në Europë. atsh