Dje ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur shpalljen e lumit Vjosa, “Park Kombëtar”, kategoria më e lartë e mbrojtjes. “Kemi vendimin përfundimtar që e shpallim lumin e Vjosës, lumin e fundit të egër në Evropë, Park Kombëtar, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë si “Park natyror”. E kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtjeje në 12.727 hektarë, që është gjithë sipërfaqja ujore, sipërfaqja bregore e lumit, bashkë me disa sipërfaqe të tjera tokësore të cilat së bashku me të tre degët e lumit Vjosë: Lumi Drino, lumi Bënçë dhe lumi i Shushicës, bëjnë atë që quhet sot parku i parë në Evropë i një lumi të egër siç është lumi Vjosa”, u shpreh ministrja Kumbaro. Ndërkohë që në bashkëpunim me kompaninë “Patagonia” do të vijojë faza tjetër që ka të bëjë me planin e menaxhimit dhe hartimin e masterplanit të zonës për të parë ku mund të zhvillohen ekonomi tradicionale, ekoturizëm, ku do të jenë zonat strikte dhe ku nuk do të ndërhyhet fare. atsh