Friday, November 22, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIUnaza e Madhe e Tiranës brenda 2023

Unaza e Madhe e Tiranës brenda 2023

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës, nga ku bëri të ditur se, e gjithë Unaza parashikohet të përfundojë brenda dhjetorit të këtij viti. “Pothuajse të gjitha lotet janë në ritmin më të mirë të mundshëm dhe shpresojmë që brenda dhjetorit 2023 të përfundojë puna në të gjitha lotet”, deklaroi Balluku. Zv/kryeministrja Balluku theksoi se, komuniteti i banorëve ku kalon gjurma e re e Unazës Verilindore kanë bashkëpunuar për prishjen e banesave në trasenë e rrugës. “Ishin 140 objekte. Kemi larguar shumicën e tyre dhe kanë mbetur edhe rreth 35 banesa për t’u prishur”, tha ajo. Në lotin e 7-të të Unazës Verilindore po punohet me ritme të shpejta, me gërmim për formimin e trasesë së rrugës, mbushjen dhe betonimin e pilotëve. Zv/kryeministrja theksoi se, përveçse po ndërtojmë një rrugë të kategorisë “A” urbane, Tirana do të përfitojë edhe një rrugë panoramike që ndjek shtratin e lumit të Tiranës. Ajo bëri të ditur se, bashkia e Tiranës ka një plan për ta shoqëruar edhe me një shëtitore dhe për ta kthyer në një zonë urbane. Investimet, theksoi ajo, kanë rritur edhe vlerën e pronës në këtë zonë. “Parashikohet që shumë nga ndërmarrjet dhe institucionet të spostohen në këtë zonë duke krijuar kështu një pol tjetër të kryeqytetit”, deklaroi zv/kryeministrja. Autoritetet janë në fazën e zbatimit të dy segmenteve që plotësojnë Unazën e Madhe të Tiranës: pjesën nga rrethrrotullimi “Shqiponja” te Bulevardi i Ri dhe aksin nga Bulevardi i Ri në Shkozë. Në këtë aks parashikohet të ndërtohen vepra arti dhe rrugë dytësore, të cilat do të lidhin unazën me zona të tjera të kryeqytetit. Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë. Përfundimi i saj në fund të vitit 2023 lehtëson trafikun brenda Tiranës, ndërsa e lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët dalëse kombëtare. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments