Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, në Shkodër, po përgatitet për hapjen e ekspozitës personale të fotografëve Safet e Gjylzade Dokle, kuruar nga Lek M. Gjeloshi. Një fond i pasur që i është bashkuar së fundmi arkivës së “Marubit”. Aktiviteti fotografik i bashkëshortëve Safet e Gjylzade Dokle u zhvillua në Borje të Rrethit të Kukësit e më gjerë, duke përshkuar një hark kohor 40-vjeçar, nga vitet ’30 deri në fillim të viteve `70. Në koleksionin e tyre fotografik dokumentohet historia politike, jeta shoqërore, ritualet e ndryshme dhe aspektet tradicionale të Shqipërisë verilindore të asaj kohe. Ky koleksion, i cili përbëhet nga rreth 20000 negativë, është më i madhi i dhuruar mbas viteve ’90-të në arkivin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Ekspozita sendërton narracionin e parë mbi të, ku një vëmendje e posaçme i dedikohet përmasës etnografike dhe ezoterizmit që ajo ofron tanimë si fluks imazherik. atsh