Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALESHENDETESINga 30 prilli mjekët specialistë do marrin 50 mijë lekë plus çdo...

Nga 30 prilli mjekët specialistë do marrin 50 mijë lekë plus çdo muaj

Mjekët specialistë do të marrin 50 mijë lekë plus çdo muaj mbi rrogën e tyre bazë duke nisur nga 30 prilli 2023. Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili shtoi se me këtë rritje, pagat e mjekëve specialsitë ngjiten lart krahasur me pagat në rajonin e Ballkanit dhe barazohen me ato të Serbisë. Rritje të pagës do të kenë edhe mjekët e përgjithshëm dhe infermierët me 7%, një premtim që kryeministri u zotua ta zbatonte. “Në 30 prill 2023 mjekët specialistë do të marrinh 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre, ose 500 dollarë çdo muaj. Do të mbajmë zotimin për rritjen 7 % të pagës për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët. Në hyrje të 2024 do kemi rritjen edhe për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët njësoj si me mjekët specialistë. Në prill me pagën e mjekëve specialistë ngjitemi lart me pagat e rajonit dhe barazohemi me atë të Serbisë”, tha Rama. Gjatë fjalës së tij nga Kongresi i parë i Shëndetësisë, Rama ngriti edhe problematikën e “eksodit” të bluzave të bardha. “Nuk do të lejohet më që mjekët dhe infermierët që shkollohen me paratë e taksapaguesve shqiptarë të shkojnë të punojnë në Gjermani sapo të marrin diplomën në dorë”, tha Rama, ndërsa shtoi se kjo problematikë do adresohet që të marrë zgjidhjen e duhur. Forcimi i kapitalit njerëzor në funksion të shëndetit ishte një nga pikat e rëndësishme që duhej punuar, ku kryeministri Rama tha se janë marrë masat që kjo të ndodh që nga arsimi, edukimi, punësimi, kushtet e punës dhe pagat e denja për bluzat e bardha. “Sot kemi një kapital njerëzor në fushën e shëndetësisë shumë më të qëndrueshëm dhe të mirëtrajtuar dhe pa diskutim shumë më garanci për të nesërmen. Ku kapital njerëzor ka nevojë për arsimim, punësim, kushte pune dhe pagë dinjitoze. Në fushën e arsimit kemi ecur në mënyrë pozitive përpara, sot kemi një sistem të arsimit të bluzave të bardha që në një farë mënyre e ka marrë vulën e cilësisë nga fakti që të arsimuarit në vendin tonë mirëpriten me krahë hapur edhe në vendet e zhvilluara. Edhe puna e bërë atje nga mjekët dhe infermierët ka krijuar një reputacion pozitiv, kjo është në nderin e mjekëve por një problem më shumë për ne. Sot studentët për mjekësi paguajmë 15 nga 16 pjesë të financimit të studimit të një mjeku. Sot studenti i mjekësi paguan 1/16 e kostos reale dhe këtë gjë shetit e bën duke marrë në konsideratë një sërë faktorësh. Por shteti nuk paguan për këtë që ditën që marrin diplomën të shërbejnë në Gjermani. Ky është një problem të cilin shumë vende e kanë adresuar dhe ne ka ardhur koha të ardresojmë”, tha Rama. Në fund kryeministri shtoi se investimet dhe përmirësimi i kushteve të punës do të mund të frenojnë largimin e bluzave të bardha, edhe pse ky fenomen është mjaft i njohur edhe në vendet më të zhvilluara. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u ndal edhe në autonominë spitalore, për të cilën tha se do të mundësojë më shumë mundësi të reja për mjekët që t’u rritet paga në bazë të performancës së tyre. “Nga pikënisja rritëm me 63% pagat e stafeve mjekësore, aplikuam bonusin e mjekëve që punojnë larg vendbanimit, ndërsa jemi zotuar të vijojmë rritjen e pagave për profesionistët e shëndetësisë. Reforma spitalore, me modelit e ri të autonomisë spitalore do të mundësojë më shumë iniciativa financiare për mjekët, nga pagesat për performancë dhe praktikën dyfishe. Po adresojmë në dinamikë sfidën e mobilitetit të personelit shëndetësor, një sfidë që ka prekur jo vetëm vendet e rajonit por edhe ato të BE, me synim mbajtjen e profesionistëve në vend dhe zhvillimin e programeve për përthithjen e atyre që sot punojnë jashtë të përfshira këto si pjesë e Planit të Masave per Zhvillimin e Burimeve Njerëzore 20-30, për të plotësuar nevojat në të ardhmen, për profesionistë të shëndetësisë”, tha Manastirliu. Rtsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments