Kina ka mbrojtur fort rritjen e madhe të shpenzimeve të saj ushtarake. “Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes nuk është vetëm nevoja për të adresuar sfidat komplekse të sigurisë, por edhe nevoja për të përmbushur përgjegjësitë si fuqi e madhe”, i tha medias Wang Chao, zëdhënësi për sesionin vjetor të Kongresit Kombëtar të Popullit. Buxheti i mbrojtjes i Kinës është rritur gjithmonë më shpejt se shpenzimet e tjera buxhetore në vitet e fundit, me 7,1% vetëm vitin e kaluar. Rritja ishte gjithashtu më e lartë se ritmi i rritjes ekonomike të ekonomisë së dytë më të madhe në botë. Ekspertët nga “Mercator Institute for China Studies’’ (MERICS) në Berlin presin një rritje prej më shumë se 7,0% përsëri këtë vit. Zëdhënësi Wang nuk dha shifra të reja, por ka bërë të ditur se buxheti i ri ushtarak do të prezantohet në fillim të seancës parlamentare. “Modernizimi ushtarak i Kinës nuk do të përbëjë kërcënim për asnjë vend, por do të jetë një forcë pozitive në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe paqes botërore”, pohoi Wang. atsh