Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURENdërhyrje restauruese në Kullën e Ministerit në Pejë

Ndërhyrje restauruese në Kullën e Ministerit në Pejë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës njoftoi se kanë filluar ndërhyrjet restauruese në Kullën e Ministerit. Kulla e Ministerit përfaqëson një epokë të rëndësishme në historinë e qytetit të Pejës, e cila dikur i takonte Bejlerëve. Për të ruajtur strukturat historike, që i japin karakter qyteteve, kjo kullë po i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese dhe konservuese. Kulla e cila gjendet në Pejë, është ndërtuar në vitin 1933. Shtyllat e betonit të dala nga muret në fasadën jugore, që shërbejnë për mbajtjen e ballkonit e bëjnë këtë kullë të pazakontë për këto treva. Kulla e Ministerit fillimisht i takonte Bejlerëve, përkatësisht Shasivar Beut ndërsa më vonë si pasojë e presionit sistematik gjatë mbretërisë serbe-kroate-sllovene, kulla kaloi në pronësi të Aleksandër Markoviqit, i cili në atë periudhë ishte ministër dhe nga ky objekt udhëhoqi administratën shtetërore. Pavarësisht kohës, kulla ka ruajtur autenticitetin e saj. “Ky është një projekt i rëndësishëm, duke theksuar rëndësinë e ndërtesave të vjetra për komunitetin, prandaj jemi të lumtur që po luajmë rolin tonë në ruajtjen e tyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës. Ndërhyrjet restauruese po bëhen në kuadër të programit “Trashëgimia Kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezionit social”, bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës, Bashkimit Europian dhe UNDP-së. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments