Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” theksoi sot se, “Fondi i Teatrit për të Rinj”, do të vazhdojë me edicionin e tij të dytë edhe përgjatë 2023-shit. Projektet teatrore përfituese nga ky fond realizohen nën kujdesin e Teatrit Eksperimental, në bashkëpunim me teatrot e rretheve, duke sjellë në vëmendje dramaturgjinë bashkëkohore edhe shqiptare në rang vendi, gjithëpërfshirjen e artistëve të rinj në disiplinën e teatrit si dhe pasurimin e fondit të teatrit nga të rinjtë. Në kuadër të “Paktit me Universitetet”, të rikonfirmuar ndërmjet Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Universitetit të Arteve, Fakultetit të Artit Skenik, institucionet angazhohen të jenë partnerë në zhvillimin e kulturës së artit skenik, duke promovuar kapacitete të reja krijuese dhe artistike. Periudha e realizimit të projekteve do të jetë brenda kufirit kohor prill-nëntor 2023, ndërsa mosha e krijuesve dhe interpretuesve të veprës të jetë deri në 35 vjeç. Përmes “Fondit të teatrit për të rinj, në vitin 2023”, me një shumë prej 10,000,000 lekë synohet nxitja dhe aktivizimi i krijuesve dhe interpretuesve të rinj, risjellja në një formë të re e festivalit të të rinjve, gjallërimi dhe lëvizja teatrore në rang vendi si edhe krijimi i lëvizjes teatrore në bazë të rajoneve. Fondi do të përmbajë një repertor prej 10-14 shfaqjesh, të dramaturgëve shqiptarë dhe bashkëkohorë dhe veprat që do të propozohen dhe përzgjidhen të kenë deri në 4 personazhe. Shtrirja gjeografike e produksioneve teatrore, të paraqitura në një formë bashkëprodhimi me teatrot e rretheve, adreson regjisorët të punojnë dhe sigurojnë mbi mbarëvajtjen e premierave në teatrot e Tiranës, Korçës, Shkodrës, Vlorës, Durrësit, Fierit, Pukë e Gjirokastër. Dorëzimi i aplikimeve është deri më 23 mars 2023. atsh