Më 24 shkurt 1871 lindi Sevasti Dako Qiriazi, arsimtare, veprimtare e çështjes kombëtare. Ishte atdhetare dhe nismëtare e organizimit të arsimit shqiptar për femra. Naim Frashëri ishte ai që i dha mundësi Sevasti Qiriazit të studionte në kolegjin me emër “Robert Kolegj” në Stamboll e të luante një rol aktiv në arsimimin e grave. Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor 1891. Me t’u kthyer në Shqipëri, Sevastia mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave, në Korçë, më 1891. Motrat Qiriazi ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave nga e cila dolën shumë emra të njohur, që kontribuuan, jo vetëm në fushën e arsimit, por u bënë edhe luftëtare të njohura të çështjes kombëtare. Kjo shkollë është edhe fillimi i një shkolle mbi baza laike. Pas Luftës së Parë Botërore, kjo shkollë njihej ende me emrin e familjes Qiriazi. Sevasti Qiriazi mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako e me të motrën Parashqevi ajo vajti në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjesit”. Vdiq më 30 gusht të vitit 1949. atsh