Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike ka prezantuar kalendarin e aktiviteteve të kërkimit shkencor dhe konferencave të parashikuara për vitin 2023. Kalendari i miratuar së fundmi nga Senati i ASA-së, parashikon një aktivitet mjaft të ngjeshur nëse do të marrim parasysh edhe faktin se krahas kësaj agjende, kërkuesit shkencorë të IAKSA-së zhvillojnë një aktivitet individual si kërkues dhe mësimdhënës pranë katedrave e qendrave universitare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Përgjatë gjithë vitit, IAKSA do të kryejë procesin e inventarizimit dhe verifikimit të gjendjes dhe ruajtjes së objekteve arkivore. Gjithashtu do të vijojë projekti “Riorganizimi, katalogimi, digjitalizimi dhe përmirësimi i kushteve për ruajtjen e pasurisë arkivore në IAKSA”. Në muajin prill do të nisë procesi i transkriptimit dhe i klasifikimit të materialeve të mbledhura në kuadër të projektit “Atlasi Etnografik i Fshatit Shqiptar Sot”. Ndërkohë janë planifikuar shumë aktivitete shkencore si seminari “Përthyerje antropologjike”, seminare mbi praktikat arkivore, cikli “Tragë”, nga Departamenti i Folklorit, ekspozita fotografike me materialet e koleksionit “Vasil Koçi”, etj. Gjithashtu Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit do të realizojë një sërë botimesh mes të cilave “Studime per Artin” Nr 21 e 22, si dhe “Antropologji” vol. 5 dhe 6. Përveç këtyre, puna e IAKSA parashikon edhe ekspedita kërkimore, të cilat do të realizohen në muajt maj, qershor, shtator, në kuadër të projektit kërkimor “Atlasi Urban: Tirana, Kamza, Durrësi”, 2023-2032. atsh
IAKSA, me një kalendar të ngjeshur aktivitetesh kërkimore shkencore
RELATED ARTICLES