Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se, në mbledhjen e sotme të qeverisë janë marrë edhe dy vendime që lidhen me menaxhimin e fatkeqësive natyrore. Peleshi deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se, u miratua strategjia kombëtare e zvogëlimit të riskut të fatkeqësive natyrore, si edhe marrëveshja në parim mes Shqipërisë dhe Italisë për një hua koncesionare prej më shumë se 30 milionë euro për mbështetjen e gjithë sistemit të Emergjencave të Mbrojtjes Civile. “E para është strategjia kombëtare për zvogëlimin e riskut të fatkeqësive, pasi kemi hartuar hartën e vlerësimit të risqeve. Kemi identifikuar 6 risqe që janë tërmete, përmbytjet, rrëshqitjet e tokës, epidemitë, pandemitë, rreziqet teknologjike. Tani miratuam dhe strategjinë se si do t’i adresojmë në mënyrë aktive duke i vënë theks parandalimit. Strategjia parashikon se si do të shpërndahen forcat, burimet financiare apo njerëzore në menaxhimin dhe parandalimin e risqeve”, u shpreh Peleshi. “Projektvendimi i katërt ishte miratimi në parim i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për mbështetjen e gjithë sistemit të Emergjencave të Mbrojtjes Civile në Shqipëri, me një hua koncesionare prej më shumë se 30 milionë euro. Tani jemi gati për ratifikimin e kësaj marrëveshje pasi e ratifikuam në Këshillin e Ministrave”, tha ai. atsh
Strategjia Kombëtare për zvogëlimin e riskut të fatkeqësive natyrore
RELATED ARTICLES