Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë zhvilloi mbledhjen e tij të radhës nën drejtimin e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi lidhur me rritjen e cilësisë dhe plotësimin e standardeve të kërkuara për eksportimin e produkteve shqiptare, si dhe diskutimi mbi mundësinë e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me Japoninë. Për të dyja këto çështje, Sekretariati teknik i KKLT prezantoi edhe analizat përkatëse. Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e forcimit të dialogut mes qeverisë dhe biznesit, pasi qëllimi i përbashkët i të dy palëve është zhvillimi i biznesit, i ekonomisë dhe i vendit në tërësi. Ministrja tha se është e nevojshme që në bashkëpunim me dhomat e tregtisë dhe me biznesin në sektorë të caktuar të bëhen studime sektoriale për konkurrueshmërinë e vendit si në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, “Procesit të Berlinit”, CEFTA-s dhe procesit të integrimit evropian. “Unë në thelb besoj fort që forma duhet të jetë lehtësimi dhe mbase subvencioni i disa industrive, por jo mbështetja nëpërmjet politikave fiskale, sepse lehtësimi fiskal në sektorë të caktuar historikisht ka sjellë sjellje abuzive dhe informalitet, dhe në fakt efekti është i njëjtë, qoftë duke i lehtësuar fiskalisht, qoftë duke i dhënë një subvencion. Këto analiza sektoriale duhet t’i bëjmë dhe është mirë që t’i iniciojmë të përbashkëta, me dhomat e tregtisë dhe me bizneset e sektorëve specifikë. Do fillojmë me bujqësinë, pasi është një sektor që jep 20 % të PBB dhe ka rëndësi jo vetëm në PBB, por në punësim dhe në zhvillimin e ekonomisë së vendit”, u shpreh Ibrahimaj. Sa i përket çështjes së cilësisë së eksporteve, ministrja tha se qeveria ka ndërmarrë angazhimin për të mundësuar vlerësimin nga organet e Bashkimit Evropian për të gjitha produktet me bazë shtazore. “Lajmi i mirë është që do të fillojmë me industrinë e qumështit gjatë këtij viti, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe AKU, dhe uroj që çdo që të shkojë mirë. Sigurisht që do të ketë problematika, por do të shërbejë si nxitje me qëllim përmirësimin, që në të ardhmen do t’i shërbejë të gjithë industrisë së qumështit”, tha Ibrahimaj. Sa i përket marrëveshjes së tregtisë së lirë me Japoninë, Ibrahimaj ftoi shoqatat e biznesit që të bëjnë propozimet e tyre për produkte specifike, në mënyrë që të përfshihen në diskutime me shtetin japonez. atsh