Nga marsi, pajisje inteligjente do të monitorojnë të gjitha automjetet me qëllim verifikimin nëse janë paguar taksat, kolaudimi apo siguracioni. Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja bëri të ditur se janë tri pajisje që do të monitorojnë çdo mjet, në lëvizje apo parkim publik, për të parë nëse i kanë paguar taksat, kolaudimin apo siguracionin. “Këto pajisje do të vendosen në hyrjet kryesore në qytetet të mëdha për të evidentuar sa më shumë mjete. Është shumë e rëndësishme, jo vetëm për pabarazinë që krijohet, por mbi të gjitha edhe për përgjegjësinë që kemi ndaj të tretëve në rast aksidenti”, u shpreh Gonxhja në një intervistë në media. Sipas tij, konstatimet të shoqëruara me foto dhe me të dhënat konkrete si ora apo vendi, do t’i përcillen Policisë së Shtetit, për të marrë penalitetet e parashikuara. Ai theksoi se targetgrupi i parë do të jenë rreth 5 mijë punonjës të administratës publike, që kanë në sistem makina aktive pa paguar detyrimet në shtet. “Në asnjë rast ne nuk kemi tagër të ndalojmë makinat në rrugë, përveç aksioneve të përbashkëta me policinë. As të bllokojmë apo rëndojmë trafikun, gjithçka do të jetë automatike. Të dhënat do të kalojnë në drejtorinë qendrore dhe më pas do t’i kalojnë Policisë Rrugore. Ne do krijojmë një panoramë të qartë të situatës, për të përshkallëzuar më tej masat që do të duhet të marrim”, u shpreh ai. Sipas Gonxhes, shifrat e mjeteve pa taksa mbeten në një nivel të lartë dhe është kjo një nga arsyet pse nevojitet ky monitorim shtesë në rrugë. “Çdo vendimmarrje do të bëhet duke njoftuar më parë individin. Fillimisht do të përdorim e-Albania, për ata që punojnë në shtet dhe kanë makina me detyrime të prapambetura. Do përdoret posta dhe çdo mjet komunikimi. Por në çdo rast nuk do të ketë penalitet pa njoftim”, informoi Gonxhja. Në total në sistem rezultojnë rreth 800 mijë automjete aktive. Të dhënat paraprake flasin për rreth 20% të mjeteve në qarkullim me detyrime të papaguara. atsh
Pajisje inteligjente për gjurmimin e mjeteve pa taksa, siguracion ose kolaudim
RELATED ARTICLES