Shqipëria, ashti si dhe rajoni i Ballkanit, është përfshirë nga vala e të ftohtit nga Siberia duke bërë që temperaturat të zbresin më minus. Meteorologu Hakil Osmani, në një lidhje për Klan News, thotë se kjo javë deri para fundjavës do të jetë nën këto kushte, me temperatura të ulëta dhe erë të ftohtë. Ndërsa duke filluar nga gjysma e dytë e ditës së enjte dhe dita e premte, moti do të fillojë të përmirësohet. “Një masë e ftohtë me origjinë nga Siberia ka goditur rajonin e Ballkanit, edhe territorin shqiptar, duke bërë që jo vetëm fundjava por edhe kjo fillim jave deri ditën e premte të kemi temperatura të ulëta duke bërë që në qytetet e zonave malore temperaturat të luhaten nga -7 gradë Celsius deri në -9. Por në zonat e thella dhe në fshatrat e thella malore parashikohet që temperaturat e ajrit të jenë edhe më të ulëta. Po ashtu, edhe në kryeqytet duke përfshirë ultësirën perëndimore, pritet të kemi temperatura të ulëta të cilat në kryeqytet do të luhaten nga 0 në -2 gradë Celsius, të paktën deri mëngjesin e ditës së enjte, ndërsa pjesa tjetër e ultësirës perëndimore do të t’i ketë temperaturat e ajrit nga 1 në -4 gradë Celsius duke përfshirë qytetet e zonave bregdetare. Përsa i përket kushteve të motit, për fat të mirë nuk pritet të kemi prezencë të reshjeve pasi do të kemi një mot kryesisht të kthjellët më shumë diell, kalime të pakta të vranësirave të cilat në zonat malore do të sjellin prezencë shumë pak reshje dëbore por që do të jenë në sasi të papërfillshme dhe në momente të shkurtra kohore. Pritet një përmirësim sa i përket temperaturave të ajrit duke filluar nga pjesa e dytë e ditës së enjte dhe duke përfshirë dhe ditën e premte do të kemi një rritje graduale dhe të lehtë të temperaturave të ajrit duke bërë që të kemi një rritje me të paktën 2 apo 3 gradë Celsius. Parametri i erës nuk do të jetë shumë i fortë por pritet që të jetë prezente nga drejtimi verilindor duke bërë që të kemi një erë të fortë por edhe të fohtë e cila do të bëjë që temperaturat e ajrit të ndihen akoma më të ulëta. Në qoftë se do të kemi zona që temperaturat e ajrit do të regjistrojnë – 10 gradë Celsius, në momentet që do të kemi parametrin e erës pritet që ajo të ndihet edhe si -14 apo -15 gradë Celsius. Maksimumet në ultësirën perëndimore pritet të luhaten në vlerat 8 apo 9 gradë Celsius, ndërsa në zonat malore të paktën deri ditën e mërkurë do të jenë në vlera negative. Gjatë gjithë 24 orëshit në zonat malore do t’i kemi temperaturat në vlera negative duke bërë që maksimumet të jenë nga 0 në -2 apo -3 gradë Celsius”, u shpreh Osmani. Sipas meteorologut, dy ditët më të ftohta të javës do të jenë e marta dhe e mërkura. “Dita e martë dhe dita e mërkurë është ajo e cila do të sjellë edhe temperaturat më të ulëta në vendin tonë duke bërë që minimumet në qytetet e zonave malore të zbresin në -9 gradë Celsius, ndërsa në fshatrat e thella malore do të kemi temperatura që zbresin edhe në -13 apo ndonjë zonë e izoluar edhe -14 gradë Celsius, pra do të kemi dy ditë shumë të ftohta në vendin tonë. Janë tipike ditë dimri, pasi duhet të ishin prezente këto valë të të ftohtit shumë më përpara, janë tashmë në Shkurt”. Gjatë fundjavës do të largohet kjo masë e ftohtë ajri e ardhur nga Siberi që ka “mbërthyer” vendin dhe rajonin.