Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, në kuadër të vizitave me institucionet e nivelit lokal si dhe atij qendror, së fundmi zhvilloi takimin e radhës me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Skënder Krasniqi tregoi gatishmërinë për të ofruar ndihmën dhe kontributin e nevojshëm për pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës. Ndërsa, ministri Armend Mehaj, siç u bë e ditur në komunikatë, theksoi se gjatë ditëve në vijim presin që kësaj iniciative që ka për qëllim ngritjen e mirëqenies së ushtarakëve t’i bashkohen edhe shumë biznese të tjera. “Gjatë këtij takimi, Dhoma e Tregtisë theksoi rëndësinë e furnizimit të ushtrisë me prodhime vendore duke përfshirë ushqime dhe veshmbathje, si dhe investimet në rritjen e kapaciteteve aktuale brenda vendit në drejtimet që shihen me interes për prodhim për nevoja të ushtrisë”, u bë e ditur në komunikatë.ATSH