Teatri Kombëtar i Kosovës, ka çuar personazhin e famshëm të letërsisë gjermane, Faustin, në Gjilan. Fausti, personazhi kryesor i një legjende klasike gjermane e heroi i folklorit dhe letërsisë perëndimore, ishte protagonisti i premierës së shfaqur mbrëmë në Gjilan, si bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit të qytetit të Gjilanit dhe Teatrit “Bekim Fehmiu”, në Prizren. Fausti i Gëtes mblodhi rreth vetes vëmendje të lartë. Për të parë shfaqjen ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deputetja Adriana Matoshi, kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe shumë artistë e artdashës. Me autor dhe regjisor Fadil Hysaj, e luajtur nga 17 aktorë, kjo histori e paharrueshme e Gëtes, e treguar dhe e ritreguar në romane, proza e drama, solli plot emocione për publikun. ATSH