Komisioni Evropian kërkon të zgjidhe problemin e numrit në rritje të migrantëve të parregullt që mbërrijnë në Bashkimin Evropian përmes një strategjie të re të dëbimeve të shpallur sot. “Ata që nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare duhet të kthehen në vendin e origjinës”, tha komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, në Bruksel. “Vetëm në vitin 2022, u regjistruan mbi 300 000 migrantë të parregulltë”, tha Johansson. Komisionerja tha se shumica e të ardhurve nuk kualifikoheshin për azil. “Një strategji efektive e dëbimit pritet të shërbejë si një pengesë për të ndihmuar në reduktimin e migracionit të pasigurt dhe të parregullt”, thuhet në një deklaratë të komisionit. Për vite me radhë BE-ja është përpjekur të rrisë shkallën e dëbimeve me sukses të kufizuar. Një plan i shpallur në 2021 u fokusua në kthimet vullnetare. Blloku është përpjekur gjithashtu të përdorë politikat e vizave për të ushtruar presion mbi vendet që të marrin mbrapsht azilkërkuesit e refuzuar. Sipas shifrave të komisionit, vetëm 29% e migrantëve që duhet të ishin larguar nga BE-ja në 2019 e bënë këtë. Në vitin 2021, kjo normë u ul në 21%. Strategjia e re përfshin një bashkëpunim më të madh midis shteteve anëtare të BE-së dhe agjencive të BE-së si Frontex, agjencia e menaxhimit të kufijve të bllokut. ATSH