Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar Istogun e cila njëra ndër komunat që është prekur nga vështrimet e ditëve të fundit. “Bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituam rreth 20 pjesëtarë të FSK-së të cilët me kamion ushtarak dhe barkë lundruese, po e bëjnë të pamundurën që t’iu dalin në ndihmë banorëve të fshatit Drejë, në Istog. Aty, te “Ura në Drejë”, mbi lumin Kujavç, na priti kryetari i komunës Ilir Ferati i cili na njoftoi me gjendjen e vështirë dje dhe sot. Më pas shkuam bashkë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku vizituam dy familje të evakuara nga Zallqi: Arton dhe Luljeta Jahajn me katër fëmijë të vegjël, dhe, Avdi e Floreta Jahajn me dy fëmijë të vegjël. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk kemi qytetarë të vdekur e as të lënduar. Edhe Klina, Peja e Gjakova, sikurse edhe Mitrovica, Skenderaj e Podujeva kanë pësuar dëme”, ka shkruar Kurti në “Facebook”. Sipas tij Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata. “Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, prerja ilegale e pyjeve ndër vite dhe mungesa e projekteve të pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, si dhe ndryshimet klimatike globale i kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbytjet e vendbanimeve nga vërshimet”, tha ai. RTK
Qeveria qëndron pranë banorëve të komunave ku pati vërshime
RELATED ARTICLES