Policia e Rrugore ka marrë masa shtesë për shkak të situatës së reshjeve dhe motit të keq që ka prekur të gjithë vendin për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve. Policia e Shtetit njofton sot se, Shërbimet e Policisë Rrugore janë në gatishmëri, në të gjitha rrugët e vendit, për të menaxhuar trafikun dhe për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve, në rast nevoje, në situatën e krijuar si pasojë e motit të keq. “Në gatishmëri janë edhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Për shkak të reshjeve të shiut, në segmentet rrugore ka prezencë të ujit dhe në këto kushte rreziku i përfshirjes në ngjarje rrugore është më i lartë”, thuhet në njoftim. Po ashtu, Policia e Shtetit njofton se, ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë, në të gjitha akset rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe monitorimin e qarkullimit të automjeteve të akset rrugore në të cilat janë krijuar vështirësi për shkak të motit të keq. Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, që të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit. “Drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve të ndjekin dhe të zbatojnë me rigorozitet udhëzimet e Policisë Rrugore”, thuhet në njoftim. ATSH