Thursday, November 28, 2024
HomeSOCIALEKQZ: Aktivitetet e ndaluara katër muaj përpara datës së zgjedhjeve

KQZ: Aktivitetet e ndaluara katër muaj përpara datës së zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit, ka publikuar rregullat për veprimtaritë publike të institucioneve në periudhën katër muaj përpara datës së zgjedhjeve. Në faqen zyrtare të KQZ-së është publikuar vendimi i Komisionit Rregullator “Për rregullat e raportimit të veprimtarive me karakter publik të çdo institucioni publik, e me kapital shtetëror, agjencive, enteve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve”, përcaktojnë. KQZ nënvizon se duke filluar nga data 13 janar 2023 deri në datën 14 maj 2023, çdo organ publik ka detyrimin të raportojë paraprakisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbi veprimtaritë publike të kryera nga titullari dhe/ose çdo punonjës i administratës, apo personeli tjetër i institucionit. “Këtij detyrimi i nënshtrohen edhe entet e tjerë ku shteti zotëron kapital/kuota/aksione ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit. Një veprimtari është publike kur ajo do të pasqyrohet sipas rastit në radio, në televizion, në shtyp, në faqe interneti, në median online, në rrjete sociale, ose nëpërmjet çdo mjeti tjetër që mundëson publikun e gjerë të njihet, apo të informohet mbi atë veprimtari”, sqarohet në këtë vendim. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të njoftohet për zhvillimin e veprimtarisë publike të paktën 5 (pesë) ditë përpara datës së parashikuar për zhvillimin e saj. Në rast se nuk respektohet ky afat veprimtaria do të ndalohet dhe nuk mundet të bëhet publike. Njoftimi apo raportimi për veprimtarinë bëhet nëpërmjet ndërfaqes përkatëse të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve https://aktivitete.kqz.gov.al/ . Për këtë qëllim çdo ent publik ka të hapur në këtë ndërfaqe një llogari të vetën. Përgjegjës për raportimin është sekretari i përgjithshëm, ose drejtori i përgjithshëm dhe në mungesë të këtyre funksioneve është personi me pozicionin më të lartë administrativ në institucion, përjashto titullarin. Personat përgjegjës për raportimin mundet të autorizojnë një person të tretë për raportimin, por në çdo rast janë ata përgjegjës për përmbushjen e këtij detyrimi. Raportimi përmban të dhënat për organin publik që organizon veprimtarinë, datën dhe orën e veprimtarisë, tematikën e veprimtarisë, nivelin më të lartë të pjesëmarrjes, të ftuarit e nderit, folësit e planifikuar dhe mediatizimin ose jo të veprimtarisë. Zhvillimi i çdo veprimtarie me karakter publik, me pjesëmarrjen e punonjësve të organeve publike duhet të raportohen. Ndalohet në këto veprimtari përdorimi i shenjave, logove, sloganeve, pankartave, posterave të lëvizshëm ose jo, materialeve propagandistike që identifikojnë drejtpërsëdrejti, apo tërthorazi një parti politike/subjekt zgjedhor apo kandidat në zgjedhje. Gjatë zhvillimit të veprimtarive, ndalohen thirrjet, apo fjalimet me përmbajtje partiake ose zgjedhore në favor të një subjekti zgjedhor apo të një kandidati. Promovimi i investimeve me pjesëmarrjen e zgjedhësve/elektoratit, përfaqësuesve të partisë politike konsiderohet si veprimtari politike zgjedhore. Pjesëmarrja e punonjësve të administratës brenda orarit zyrtar të punës në këtë lloj veprimtarie konsiderohet shkelje e dispozitave të Kodit Zgjedhor. Këto lloj veprimtarish me qëllime zgjedhore ndalohet të publikohen në faqen elektronike zyrtare të institucionit apo në rrjetet sociale zyrtare të institucionit. KQZ deklaron se “ndalohet promovimi i projekteve të ndryshëm në investime, shërbime, për të cilat fondet janë planifikuar pas datës 13 Janar dhe jashtë programit vjetor buxhetor të miratuar në fillim të vitit. Ndalohet shpërndarja publike e lejeve të legalizimit dhe/ose çdo titulli pronësie në periudhën e përcaktuar në këtë kujtesë. Ndalohet zhvillimi i veprimtarive të tjera me karakter politik/zgjedhor në selitë dhe oborret e shkollave, në spitale e të tilla të ngjashme, në selitë e organeve publike qendrore dhe vendore, të tilla si ministri, bashki, agjenci të ndryshme e të tilla të ngjashme. Ndalohet zhvillimi i veprimtarive me karakter politik/zgjedhor si dhe në biblioteka, qendrat kulturore përveç kur këto janë përcaktuar me vendim/udhëzim nga institucioni që i ka në varësi, si qendra multifunksionale”. Titullarët apo personat përgjegjës për drejtimin/administrimin e qendrave multifunksionale, qendrave kulturore dhe ambienteve sportive duhet të kalendarizojnë paraprakisht vënien në dispozicion në mënyrë asnjanëse të ambienteve për të gjithë subjektet zgjedhore apo kandidatët pa favorizuar asnjë prej tyre. ATA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments