Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTSPORT Xhevat Korça, mësuesi dhe politikani

 Xhevat Korça, mësuesi dhe politikani

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot mësuesin, përkthyesin, politikanin dhe historianin Xhevat Korça (10 janar 1893-korrik 1949). Xhevat Korça lindi më 10 janar 1893, në qytetin e Korçës, ku kreu dhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe më pas studimet e larta për histori i kreu në Fakultetin e Filozofisë, në Vjenë. Së bashku me studentë të tjerë i dërgoi letër presidentit amerikan Wilson, mbi çështjen e të drejtave të popullit shqiptar. Pasi kthimit të Zogut me “Triumfin e Legalitetit” në 1924-ën, ai u detyrua të largohet drejt Jugosllavisë, pasi ishte mbështetës i “Lëvizjes së Qershorit” dhe i qeverisë së Nolit. Në vitin 1925, pas krijimit të “Seminarit për filologjinë shqipe” në Universitetin e Beogradit, u caktua si lektor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ndërsa gjatë viteve 1927-28 mbajti kursin “Gjuha shqipe për fillestarë”. U zhvendos në Austri ku jetoi si emigrant politik dhe iu përkushtua përkthimit të dokumenteve të Arkivit të Shtetit austriak mbi “Historinë Kombëtare Shqiptare”. Më pas u zhvendos në Graz e Rijeka (Kroaci), asokohe pjesë e Italisë. U kthye në Shqipëri pesë muaj pas pushtimit fashist dhe në vitin 1942 merr postin si ministër i Arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës, me kushtin që gjuha italiane të hiqej si gjuhë e detyrueshme nga shkollat shqiptare dhe të liroheshin prej kampit të internimit në Itali të gjithë arsimtarët e internuar shqiptarë. Gjatë kësaj kohe, një tjetër kontribut i tij, ishte themelimi i “Institutit të Studimeve Shqiptare”. Pas rënies së qeverisë Kruja, merr fund dhe karriera politike e Xhevat Korçës. Arrestohet së bashku me djalin e tij, në vitin 1945 dhe dënohet nga Gjyqi Special, me dënim me vdekje, vendim i revokuar dhe shndërruar në burgim të përjetshëm. Ndërron jetë në spitalin e burgut të Burrelit, në korrik të vitit 1949. Një pjesë e madhe e përkthimeve të tij, ndodhen në arkivin e AQSHF-së nga ku, gjithashtu, është veçuar një letër e Fan Nolit, maj 1927, mbi përkthimet e Xhevat Korçës dhe çështje të tjera. ATA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments