Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se, inflacioni pritet të shënojë një pikë kthese gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë të vitit 2024. Në konferencën e mbajtur sot për mediet, Sejko tha se “ky parashikim bazohet në reduktimin e pritur të inflacionit në ambientin botëror, në reduktimin progresiv të efekteve të raundit të dytë në vend, si dhe në ruajtjen e normave pozitive të rritjes ekonomike gjatë periudhës në vijim”. Sipas tij, inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rritje të lehtë në muajin tetor dhe një reduktim të moderuar në muajin nëntor. Normat respektive të inflacionit në këto dy muaj ishin 8.3% dhe 7.9%. Sejko vuri në dukje se, në këndvështrimin e shportës së konsumit, ecuria e inflacionit në këto dy muaj u përcaktua nga rënia e çmimit të naftës dhe të kostove të transportit, si dhe nga luhatje në kahe të kundërta të çmimeve të artikujve ushqimor. Inflacioni i artikujve të tjerë të shportës shfaqi luhatje më të pakta, tha Guvernatori, teksa vuri në dukje se, me përjashtim të çmimit të energjisë elektrike, norma e inflacionit të thuajse të gjithë artikujve të shportës mbetet në nivele të larta historike dhe shfaq shenja të qarta ndikimi nga goditja e huaj. “Rritja ekonomike pritet të mbetet e moderuar edhe në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm dhe të konvergojë gradualisht drejt normave të saj historike në periudhën në vijim, duke ofruar një raport më të balancuar midis kërkesës dhe ofertës në vend”, deklaroi Sejko.https://ata.gov.al/2022/12/21/inflacioni-shenon-renie-ndikim-cmimi-i-naftes/