Xhudistja kosovare Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në “World Judo Masters”. Kjo ishte medalja e katërt e artë e saj. Federata e Xhudos në Kosovë njoftoi se Krasniqi ka mposhtur në finale britaniken Chelsie Giles, në kategorinë deri në 52 kilogramë, duke fituar 1800 pikë olimpike në renditjen botërore. 27-vjeçarja raundin e parë e kaloi pa luftë, teksa pastaj mposhti spanjollen, Ana Perez Box. Në gjysmëfinale triumfoi kundër Reka Pupp të Hungarisë. Xhudistja kosovare ka fituar disa medalje gjatë këtij viti, ndër të cilat tre medalje të arta, një në Grand Prix të Portugalisë, një në Grand Slam të Tbilisit dhe një në Lojërat Mesdhetare në Oran. Aktualisht Krasniqi është e shtata në renditjen botërore të xhudos, por pritet të përparojë disa pozicione, pas suksesit në Kuds. Ekipi kosovar po merr pjesë me katër sportiste në garën e madhe Masters, me Krasniqin, Nora Gjakovën, Laura Fazliun dhe Loriana Kukajn. Nora Gjakova pretendon të fitojë medaljen e bronztë. Në këtë garë prestigjioze marrin pjesë 58 shtete dhe 367 garues. Ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka uruar Krasniqin. Me një mesazh në rrjetet sociale Hajrulla Çeku shprehet: “Distria jonë, katër herë e artë, në Mastersin e xhudos “Jerusalem 2022”, një prej garave më të mëdha të xhudos, ku marrin pjesë vetëm më të mirët në kategori”. /https://ata.gov.al/2022/12/21/distria-krasniqi-triumfon-ne-jeruzalem-merr-medaljen-e-katert-te-arte/