Organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim – CDI, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian për Politikat Rajonale dhe Urbane si dhe në partneritet me Kongresin Rinor Kombëtar në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, ky event synoi jo vetëm informimin e të rinjve, por edhe nxitjen e bashkëpunimit midis tyre dhe institucioneve përgjegjëse për programet Interreg IPA dhe Strategjinë e BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit, nën objektivin e përgjithshëm të promovimit të nismave të bashkëpunimit territorial të BE-së si shtytës për fuqizimin dhe zhvillimin e të rinjve. “Youth Manifesto” krijuar nga të rinjtë për të rinjtë nënvizon se përmirësimi i aftësive të të rinjve dhe rritja e punësimit janë në fakt çelësi për zgjidhjen e sfidave rinore. Dhe, ndërsa i afrohemi fundit të Vitit Evropian të Rinisë 2022 dhe Tiranës si Kryeqytet Evropian i Rinisë 2022, mirëpresim Vitin 2023 të shpallur Viti Evropian i Aftësive. Ky është një moment i mirë nga i cili duhet përfituar për të rritur ndikimin e të rinjve brenda këtyre instrumentave të financuar nga Politika e Kohezionit e BE-së. Të pranishëm në fjalën përshëndetëse ishin Krisela Hackaj, Drejtoreshë e CDI, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi si dhe Gilles Kittel, udhëheqës i ekipit për EUSAIR ne DG Regio. Hackaj theksoi gjatë fjalës së saj se “programet dhe strategjitë e politikës së kohezionit që bazohen tek bashkëpunimi rajonal janë instrumenta që ndihmojnë në rritjen e konvergjences së vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, proces në të cilin roli dhe kontributi rinor është thelbësor dhe përcaktues i impaktit. Ndër të tjera, Kittel gjatë prezantimit të tij u shpreh se: “Është e qartë se ne duhet të punojmë, por ndërkohë, duhet të jemi më të angazhuar me rininë po ashtu. Për këtë arsye unë vërtet e konsideroj konferencën e sotme si diçka që shkon në drejtimin e duhur duke u përpjekur të trajtojë procesin e përmirësimit te politikave dhe programeve. Ju mundët të shihni se si janë marrë parasysh këto rekomandime në programet tona të deritanishme për periudhën 2021-2027”. Diskutimet u fokusuan tek rritja e ndërgjegjësimit të të rinjve mbi rekomandimet e “Youth Manifesto” në Ballkanin Perëndimor, komunikimi i këndvështrimeve të të rinjve mbi Bashkëpunimin Territorial, prezantimi i risive të programeve të reja Interreg IPA dhe mundësitë e angazhimit dhe përfitimit për rininë, dhe se si këto programe dhe nisma mund ta përshpejtojnë ecurinë e Zgjerimit. Dafina Peci, Drejtoreshë e KRK – Tirana EYC 2022, gjatë ndërhyrjes së saj theksoi se “Investimi në kapitalin rinor është faktor i rëndësishëm për të garantuar suksesin e nismave ndër-rajonale dhe politikave të kohezionit. Ndaj, ndërmjet programit të TiranaEYC2022, i dedikuam vëmendjen e duhur kompontentëve të vlerave dhe integrimit evropian duke i sjellë ato në praktikë më pranë të rinjve, në saj të hapësirave që kemi krijuar për të përforcuar dialogun mes të rinjve dhe politikbërësve në nivel kombëtar dhe europian”. Gjithashtu, eventi pati si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimit të programeve Interreg IPA dhe EUSAIR, promovimin e “Youth Manifesto” tek autoritetet e këtyre programeve për një përfshirje më të gjerë të nevojave dhe perspektivave të të rinjve në thirrjet e ardhshme dhe qeverisjen e programeve, si dhe bashkëpunimin mes këshillave rinore kombëtare dhe organizatave të tjera rinore në rajon për të rritur impaktin e këtyre programeve.https://ata.gov.al/2022/12/10/perfshirja-e-te-rinjve-ne-programet-evropiane/