Mosmarrëveshjet mes tregtarëve të ndryshëm dhe qytetarit si konsumator, janë shpesh pjesë e përditshmërisë sonë. Pandemia e Covid-19 solli gjithashtu rritjen e ndjeshme të tregtisë online dhe blerjeve përmes rrjeteve sociale. Por, kjo praktikë e shpejtë e blerjes rezulton të jetë gjithashtu problematike në raport me të drejtat e konsumatorit. Për këtë arsye, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, institucion në varësi të bashkisë Tiranë e që trajton ankesat që vijnë pikërisht edhe në këtë fushë, ka organizuar një panel diskutimi mes aktorëve të ndryshëm si pedagogë, biznese dhe specialistë të praktikave të ndërmjetësimit. Paneli trajtoi rëndësinë e bashkimit të grupeve të tilla të ndryshme duke pranuar që konsumatorët mbrohen më mirë kur ka një përpjekje të vërtetë bashkëpunuese. Me qëllim stimulimin e bizneseve që t’i përgjigjen kërkesave të konsumatorit, të cilat nisin që nga ankesat për kthime apo ndërrime të mallit brenda afatit kohor të 14 ditëve, e deri tek problematikat e rimbursimit të udhëtimeve ajrore, AMK-ja ka vlerësuar me çmimin e “Deklaratës së Përshtypjes” një sërë tregtarësh që kanë bashkëpunuar me institucionin në dobi të konsumatorit. Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit shërben si zyrë ndërmjetësimi mes tregtarit dhe klientit në nivel vendor për bashkinë e Tiranës, duke trajtuar gjatë vitit 2022 rreth 90 ankesa që lidhen ngushtësisht me këtë problematikë.https://ata.gov.al/2022/12/02/agjencia-e-mbrojtjes-se-konsumatorit-stimulon-bizneset-me-deklaraten-e-pershtypjes/