Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara shënohet çdo vit në 3 dhjetor dhe ka për qëllim promovimin e një pjesëmarrjeje të plotë dhe të barabartë të personave me aftësi të kufizuara dhe ndërmarrjen e aktiviteteve sensibilizuese për përfshirjen e këtyre personave në të gjitha aspektet e shoqërisë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën jetojnë me aftësi të kufizuar. Këta persona, përgjithësisht, kanë më shumë probleme shëndetësore, mundësi më të pakta ekonomike, edukim dhe arritje akademike më të ulëta. Kjo ndodh më së shumti për shkak të barrierave me të cilat ata përballen në jetën e tyre të përditshme, se sa si rrjedhojë ekskluzive e aftësisë së kufizuar. Aftësia e kufizuar nuk është thjesht një çështje e shëndetit publik, por gjithashtu e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të shoqërisë. Përpjekjet e OBSH-së për të mbështetur shtetet në aspekte të ndryshme, reflektohen në Planin e Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2014-2021, në Raportin Botëror për Aftësinë e Kufizuar, si dhe në Konventën e të Drejtave për Personat me Aftësi të Kufizuar. Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar 3 dhjetor, u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit. Më 11 qershor 2019, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, lançoi Strategjinë për Aftësinë e Kufizuar në një linjë me angazhimet e tij, për të shndërruar Kombet e Bashkuara një organizatë gjithëpërfshirëse. Strategjia në fjalë, thekson nxitjen e një progresi transformues dhe të qëndrueshëm, riafirmon përmbushjen e plotë të çështjes së personave me aftësi të kufizuar, si pjesë integrale e pandashme e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.https://ata.gov.al/2022/12/03/dita-nderkombetare-e-personave-me-aftesi-te-kufizuar/
Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar
RELATED ARTICLES