Në Drenas të Kosovës, u hap Këndi Arkivor si rezultat i nismës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) për të siguruar qasje të barabartë në dokumente, kudo ku frymon shqiptaria. DPA-ja në bashkëpunim me Komunën e Drenasit, i mundëson këtej e tutje studiuesve bashkëkombas të atjeshëm, kushte të njëjta hulumtimi në dokumentacionin arkivor. Këndi i Arkivor dhe platforma online, që paraqesin binjakëzimin e Sallës së Studimit në Tiranë, u prezantuan nga kreu i DPA-së, Ardit Bido, në prani të kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe përfaqësuesve të tjerë të njësisë vendore. Ky kënd është i akesueshëm në ambientet e bibliotekës së qytetit. Vendndodhjet e këndeve të tjerë në Kosovë janë Prishtina, Podujeva, Ferizaji dhe Istogu. Prej këtyre Këndesh Arkivore, çdo studiues merr shërbim ekuivalent, pavarësisht vendndodhjes, duke evokuar kështu unitetin e kombit. Për të përftuar qasjen falas në materialet arkivore, hulumtuesi duhet të regjistrohet më parë online në adresën katalogu.arkiva.gov.al, pa qenë e nevojshme të paraqitet në mjediset e Këndit Arkivor.https://ata.gov.al/2022/11/30/ne-drenas-celet-kendi-arkivor/