Kanë nisur konsultimet publike për restaurimin dhe rikonceptimin e Muzeut Historik Kombëtar, mbi projektidenë e JV, në përbërje të së cilës ka studion ndërkombëtare “Casanova+Hernandez” dhe partnerin lokal “I Ri”. Puna për rikonceptimin e këtij muzeu, i cili është ngritur në vitin 1981, ka nisur vite më parë, por tërmeti i vitit 2019 dhe më pas pandemia COVID-19 ndryshoi tërësisht vizionin e Ministrisë së Kulturës, për muzetë dhe qasjes që duhet patur. Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Kulturës shkruan se “në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe UNOPS, Muzeun Historik Kombëtar e kanë përfshirë në programin EU4Culture, i cili nisi implementimin me mozaikun e fasadës ballore, për të vijuar më tej edhe me vetë godinën e muzeut”. “Falë këtij programi do të arrijmë jo vetëm restaurimin e mozaikut, por edhe të të gjithë godinës së Muzeut, që është një monument i kategorisë II”, shkruan ministrja Margariti. Godina e Muzeut do të jetë edhe më funksionale për vizitorët, me pavijone të shtuara, që flasin për identitetin tonë kombëtar. Në grupin e punës janë përfshirë edhe specialistë të albanologjisë. Ekipi që ka realizuar projektin ka pasur në përbërje të tij 31 specialistë të fushave të ndryshme: arkitektë, historianë, arkeologë, etnografë, ikonografë, dizajner etj. Synimi është që ky muze të ketë më shumë hapësira ekspozitash të përhershme dhe të përkohshme, në mënyrë që muzeu të jetë sa më dinamik; të ketë sa më shumë hapësira edukimi për fëmijë, hapësira për takime, workshope, librari, ambiente për familjen dhe patjetër ambiente të dedikuara për digjitalizimin dhe restaurimin e artefakteve. “Vizioni ynë është për një muze bashkëkohor, që rrëfen historinë jo thjesht përmes artefakteve, por duke përdorur të gjitha mundësitë që na vë në shërbim teknologjia”, është shprehur ministrja e Kulturës.https://ata.gov.al/2022/11/25/konsultime-publike-ne-prag-te-restaurimit-te-muzeut-historik-kombetar/
Në prag të restaurimit të Muzeut Historik Kombëtar
RELATED ARTICLES